Sistemi politik

Në Zvicër pushteti politik është i ndarë në tre nivele: Federatë, Kantone (shtetet federale) dhe Komuna. Zviceranet dhe Zviceranët munden që përmes votimit të vendosin për qëllimet e tyre politike.

Shteti federal i Zvicres

Shteti federal i Zvicres (Bund) ekziston që nga viti 1848. Kryeqteti është Bern-a. Zvicra nuk është unike as etnikisht, as gjuhësisht dhe as për nga religjioni. Pasi që kulturat e ndryshme janë bërë vullnetarisht bashkë, flitet për Kombin e vullnetit (Willensnation). Në politikën ndërkombëtare Zvicra është shtet neutral.

Federalizmi

Në Zvicër Kantonet dhe Komunat posedojnë pavarësi të madhe, flitet për federalizmin. Të 26 Kantonet dhe mbi 2000 Komuna kanë strukturë plotësisht funksionale. Kantoni Glarus ka kushtetutën dhe qeverinë e vet, parlamentin dhe gjyqet. Komunat ose Kantonet janë përgjegjëse për shumë detyra shtetërore. Për këtë arsye për shembull sistemi shkollor nga Kantoni në Kanton është i rregulluar ndryshe. Derisa ligjet federale vlejnë në tërë Zvicrën, Kantonet i kanë ligjet e veta, të cilat vlejnë vetëm për territorin e Kantonit. Edhe Komunat mund t`i nxjerrin rregullat e veta. Për përmbushjen e detyrave të veta Kantonet dhe Komunat si dhe Federata vendosin tatime.

Ndarja e pushteteve

Për të penguar koncentrimin e pushtetit, pushteti shtetror në Zvicër dhe në Kantone është i ndarë në tre pushtete të pavarura: Legjislativi (pushteti ligjdhënës), Ekzekutivi (pushteti i zbatimit të ligjit) dhe Gjyqësori (pushteti gjyqësor). Në Kantonin Glarus detyrat e tyre i kryejn këto organe shtetërore: Legjislativi: Tubimi popullor (die Landesgemeinde) dhe Parlamenti (ka 60 anëtarë, çdo katër vjet zgjedhet nga populli); Ekzekutivi: Qeveria (ka 5 anëtarë, çdo katër vjet zgjedhet nga populli); Gjyqësori: Gjykata të ndryshme në nivelin kantonal.

Edhe Komunat posedojnë legjislativin e vet (Tubimi i Komunës) dhe ekzekutivin (Këshillin Komunal). Në nivelin federal legjislativi ka dy dhoma: Parlamentin dhe Dhomën e Kantoneve. Qeveria Kombëtare (ka 7 anëtarë) quhet Këshilli Federal. Edhe në nivelin kombëtarë ekzistojnë gjykata të ndryshme. Pranë Gjyqit Federal, si instanca më e lartë, mund të kontestohen për shembull vendimet e Gjykatave Kantonale.

Të drejtat demokratike

Zviceranet dhe zviceranët e kanë të drejtën e votës dhe të zgjedhjes. Ata i zgjedhin organet politike në nivel komunal, kantonal dhe federal dhe gjithashtu mund të kandidojnë vetë në zgjedhje. Përveç kësaj, qytetarët përmes referendumeve mund të vendosin për çështje politike në nivel komunal, kantonal dhe federal (demokracia e drejtpërdrejtë). Me iniciativa popullore qytetarët mund të vënë në votim edhe kërkesat e tyre. Të huajt të cilët jetojnë në Kantonin Glarus nuk kanë të drejtë vote apo të zgjedhjes. Ata mund t'i adresojnë kërkesat e tyre politike pranë autoriteteve përmes peticioneve.

E drejta themelore

Standardet e larta ligjore në Zvicër janë të përcaktuara në Kushtetutën Federale (Bundesverfassung). Një pjesë e rëndësishme e Kushtetutës Federale janë të drejtat themelore, të cilat bazohen në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (EMRK). Ato mbrojnë ekzistencën njerëzore (p.sh. të drejtën për jetë, të drejtën për ndihmë në raste të rënda) dhe mbrojnë individin nga dhuna shtetërore ose grupet e vogla ndaj shumicës. Ato garantojnë se askush nuk do të diskriminohet për shkak të origjinës, racës, religjionit, gjinisë ose orientimit seksual. Viktimat e diskriminimit racor marrin përkrahje dhe këshilla falas në Kantonin Glarus. Në Zvicër garantohen liria e fesë, e mendimit dhe e shtypit.